Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas protestës së zhvilluar këtë të enjte para Parlamentit, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gjatë protestës, disa pjesëmarrës tentuan të godisnin me vezë automjetet e deputetëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se përshkallëzimi i dhunës fizike është, sipas tij, “e vetmja gjë që mund të prodhojë tani korja e zezë e dështimeve të bulevardit politiko-mediatik të Tiranës, mbledhësit e precedentëve penalë dhe duart e huaja pas tyre”.
Kryeministri theksoi gjithashtu se situata kërkon ende durim, duke shtuar se më pas do të vijë koha për reflektim.
“Shkallëzimi në dhunë fizike është e vetmja gjë që mund të prodhojë tani korja e zezë e dështimeve të bulevardit politiko-mediatik të Tiranës, mbledhësit e precedentëve penalë dhe duart e huaja pas tyre! Durimi është ende i nevojshëm, dhe pastaj vjen radha e reflektimit”, shkruan Rama.
